E Hënë - E Premte | 08:00 - 16:00
[layerslider id=”13″]
[space line=”yes”]
Në takimin e zhvilluar në kuadër të vazhdimit të implementimit të Strategjisë Rajonale për Zhvillimin e Qarkut të Durrësit 2005-2015 për problematikat dhe aplikimin e barazisë gjinore në jetën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Ky aktivitet u organizua në bashkpunim me shoqatën e grave me probleme sociale.
Në vijim fjala e Kryetarit të Këshillit të Qarkut Durrës.
Ju falenderoj fillimisht për pjesmarrjen dhe angazhimin në këtë tryezë që është e rëndësishme për të gjithë ne.
Barazia gjinore është njëra ndër vlerat themelore të zhvillimit demokratik të shoqërisë prandaj edhe është detyrë e tërë shoqërisë që të mënjanoj pengesat duke garantuar sjellje, pozitë, mundësi dhe përfitime të barabarta për të dy gjinitë në të gjitha sferat e jetës.
Barazia mes grave dhe burrave përbën një të drejtë themelore për të gjithë. Ajo është një vlerë thelbësore për demokracinë në Shqipëri dhe për integrimin e saj në BE. Në mënyrë që kjo të arrihet vërtet, barazia mes grave dhe burrave duhet jo vetëm që të njihet ligjërisht, por të zbatohet me efikasitet në të gjitha aspektet e jetës: politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.
Çdo trajtim jo i barabartë i një individi në krahasim me një individ të gjinisë së kundërt në rrethana të njëjta apo të ngjashme konsiderohet diskriminim i drejtpërdrejtë gjinorë.
Me gjithë përpjekjet e ndryshme për ta trajtuar barazinë gjinore, dhe përparimit të arritur në njohjen e saj formale, barazia e grave dhe burrave në jetën e përditshme ende nuk është një realitet: në praktikë, gratë dhe burrat nuk gëzojnë të njëjtat të drejta; dhe pabarazitë shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore vazhdojnë.
Këto pabarazi janë rezultat i formimeve shoqërore të bazuara në stereotipe të shumta gjinore të pranishme në familje, në proceset politike, në jetën publike, në procedurat administrative dhe në organizimin e shoqërisë. Në të njëjtën kohë, këto janë fusha në të cilat është e mundur të veprohet, të përvetësohen qasje të reja dhe të iniciohet një ndryshim strukturor.
Sipas raportit të fundit të forumit global të ekonomisë Shqipëria është vendi i fundit në Evropë sa i takon barazisë gjinore. Në hartën e botës vendi ynë ngjyroset me portokalli, ku kategorizohen ato shtete që femrat kanë më pak të drejta.
Këshilli i Qarkut Durrës në rolin e autoritetit vendor përfaqëson nivelin më afër njerëzve, dhe kësisoj është në pozita më të mira për të trajtuar drejtpërdrejt vazhdimësinë e pabarazisë dhe për të nxitur mënyra qeverisjeje që synojnë një shoqëri vërtet barazimtare. Në fakt, kornizat ligjore dhe politike të Shqipërisë për barazinë gjinore mbartin përfshirje të konsiderueshme për qeverinë vendore, sa i përket zbatimit në praktikë të ligjeve dhe politikave përkatëse në punën e saj të përditshme. Nga ana e qeverisë vendore, kjo kërkon mbi të gjitha përqafimin e konceptit të barazisë si një tregues i spikatur i qeverisjes së mirë, një përkushtim ndaj zbatimit të ligjit për gjininë dhe politikave kombëtare, dhe ndërtimin e kapaciteteve dhe aftësive të nevojshme për të ndërmarrë veprime të tilla.
Këshilli i Qarkut Durrës si mbështetës i Ligjit Nr. 9970 dt.24.07.2008 “Për barazi gjinore në shoqëri”, Strategjisë Rajonale për Zhvillimin e Qarkut të Durrësit 2005-2015, Strategjinë e BE-së për barazi mes grave dhe burrave 2010-2015, përkrahës i Enteve Publike dhe i Organizatave Jofitimprurëse të cilat mbështesin fuqimisht barazinë gjinore është angazhuar gjithmonë konkretisht në nisma të tilla që lidhen me mbështjetjen në zbatim të kësaj Strategjie.
Fillimisht vlen të theksohet fakti që në pjesmarrjen e administratës së Këshillit të Qarkut aktualisht kemi një numër prej 37 femrash kundrejt 25 meshkujsh. Numri i femrave është shpërndarë si më poshtë në pozicione drejtuese 2 femra në role Drejtorësh dhe 5 të tilla në rolin e Përgjegjëseve.
Këshilli i Qarkut do të mbështesë cdo nismë sociale që ka të bëje me integrimin e shoqërisë shqiptare drejt normave europiane, ai angazhohet si një ndërmejetës për bashkpunim me pushtetin qëndror për të ndihmuar në realizimin e legjislacionit për barazinë gjinore.
JU FALEMINDERIT